Një aksident rrugor është shënuar pasditen e sotme në rrethrrotullimin e Plugut, në Lushnjë, duke shkaktuar trafik të rënduar në drejtim të jugut.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz” ka përplasur nga mbrapa një makinë tip “Volkswagen”. Për fat të mirë, nga përplasja nuk raportohet për viktima apo persona të plagosur, por vetëm për dëme materiale.
Aksidenti ka sjellë radhë të gjata automjetesh në autostradë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve për disa minuta. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ambulanca dhe shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe normalizimin e trafikut.
Për shkak të bllokimit të rrugës, efektivët e Rrugores janë detyruar të shtyjnë manualisht një prej mjeteve të përfshira në aksident, me qëllim lirimin e qarkullimit dhe shmangien e kaosit në zonë.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, veçanërisht në zona me fluks të lartë automjetesh.
