Tragjedia e rëndë në Durrës, ku një aksident u mori jetën dy fëmijëve dhe plagosi një tjetër, vijon të prekë thellë opinionin publik, ndërsa familjarët përballen me dhimbjen dhe pasojat e ngjarjes.
Babai i 8-vjeçarit të plagosur ka rrëfyer gjendjen e djalit të tij, duke treguar se ai është ende i traumatizuar dhe vazhdon të kërkojë shokët, pa e kuptuar plotësisht çfarë ka ndodhur.
“Djali komunikonte, por kërkonte shokët… pyeste nëse kushëriri është vrarë si ai,” u shpreh ai, duke treguar gjendjen emocionale të rënduar të fëmijës.
Sipas tij, i mituri ka pësuar dëmtime serioze fizike, përfshirë thyerje në pjesën e legenit dhe në këmbë, ndërsa ka marrë edhe dëmtime në mushkëri. Mjekët i kanë vendosur një shtizë për stabilizimin e dëmtimeve.
Pas aksidentit, fëmija është transportuar drejt Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë reanimacionit, por në gjendje të rënduar.
Babai tregoi gjithashtu se djali nuk mban mend shumë nga momenti i aksidentit, përveç faktit se makina po lëvizte me shpejtësi të madhe.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta në mbarë vendin dhe ka rikthyer në vëmendje shqetësimin për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së fëmijëve në hapësirat publike.
