Janë zbardhur detaje nga dëshmia e Nikoll Radaçit, drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Në deklarimin e tij para Policisë Gjyqësore, 57-vjeçari ka pretenduar se aksidenti ndodhi pasi ai devijoi automjetin për të shmangur një makinë që doli papritur nga një rrugicë e lagjes. Sipas tij, kjo manovër bëri që të humbte kontrollin dhe të përfundonte mbi trotuar, ku ndodheshin fëmijët.
“Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë. Papritur nga një rrugicë doli një automjet dhe devijova për ta shmangur. Përfundova mbi trotuar dhe u përfshiva në aksident me disa fëmijë,” ka deklaruar ai.
Radaçi shton se nuk arriti të ndalonte menjëherë dhe përshkoi disa metra më tej. Ai pretendon se më pas zbriti nga makina dhe u kërkoi punonjësve të një dyqani aty pranë të njoftonin policinë, duke qëndruar në vendngjarje deri në mbërritjen e uniformave blu.
I pyetur për shpejtësinë, ai ka deklaruar se po lëvizte me rreth 30 km/h, ndërsa për testin e alkoolit ka pranuar se kishte konsumuar pije alkoolike: “Kisha pirë një birrë në mëngjes.”
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “shkaktim aksidenti me pasojë vdekjen”, “drejtim mjeti në gjendje të dehur” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar reagim të gjerë publik dhe ka rihapur debatin mbi sigurinë rrugore, përgjegjësinë e institucioneve dhe masat parandaluese ndaj drejtuesve problematikë.
