Një ngjarje e rëndë ka tronditur Civitanovën në Itali, ku 20-vjeçari shqiptar Rikardo Mërkuri u mbyt në ujërat e portit më 22 shkurt.
Babai i tij, Mario, ka deklaruar për mediat italiane se i biri dyshohet se ndërmori aktin pasi besonte se kishte vrarë nënën gjatë një debati të ashpër në familje. “Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur,” është shprehur ai.
Sipas familjarëve, mbrëmjen e ngjarjes kishin festuar ditëlindjen e të riut. Pas largimit të babait nga shtëpia, mes nënës dhe djalit shpërtheu një konflikt që përfundoi me agresion fizik. Gruaja, Albana Kastriot, u gjet pa ndjenja dhe me dëmtime të rënda në fytyrë.
Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Maceratës dhe më pas në Torrette, ku pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas bashkëshortit, gjendja e saj është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal.
