Autoritetet rrugore kanë njoftuar ndërtimin e një rruge të re alternative pas dëmtimit dhe bllokimit të aksit Librazhd–Pogradec, si pasojë e rrëshqitjeve masive të tokës.
Kreu i ARRSH, Ami Kozeli, deklaroi se reshjet intensive dhe erozioni i lumit Shkumbin kanë shkaktuar një rrëshqitje aktive, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen emergjente. Sipas tij, është vendosur ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës, pranë shtratit të lumit, si dhe prishja e segmentit ekzistues për të lehtësuar ngarkesën në zonën e dëmtuar.
Po ashtu, do të ndërhyhet për disiplinimin e rrjedhave sipërfaqësore në të gjithë planin e rrëshqitjes.
Autoritetet theksuan se aksi Librazhd–Prrenjas ka rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë sapo të garantohet siguria e plotë.
