Mbrojtësi grek i Romës, Konstantinos Tsimikas, është shfaqur i prekur emocionalisht në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Europa League ndaj Panathinaikos.
Futbollisti nuk i mbajti lotët teksa foli për aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë, ku humbën jetën shtatë tifozë të PAOK, një ngjarje që ka tronditur opinionin sportiv në Greqi.
“Nuk kam fjalë për atë që ndodhi. Është shumë e trishtueshme për të gjithë grekët. Shpresoj që Zoti t’u japë familjeve të viktimave forcën që u nevojitet dhe që të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, u shpreh Tsimikas.
Ai shtoi se kjo tragjedi e ka prekur thellë edhe personalisht, pavarësisht se aktualisht jeton jashtë Greqisë.
“Kjo tragjedi prek të gjithë Greqinë, më prek edhe mua. E pashë gjithçka drejtpërdrejt dhe jam shumë i trishtuar, jam pa fjalë. Shpresoj që familjet e viktimave të gjejnë forcën për të ecur përpara”, tha futbollisti mes emocionesh.
