Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën pasi mbeti i bllokuar në një xhakuzi gjatë pushimeve me familjen.
Ngjarja ndodhi në Pennabilli, pranë zonës së Riminit, ku fëmija po qëndronte me prindërit dhe të afërmit në një hotel. Sipas raportimeve, këmba e tij u bllokua në grykën e thithjes së instalimit të xhakuzit, duke e mbajtur nën ujë për disa minuta.
Familjarët tentuan ta ndihmonin, por nuk arritën ta nxirrnin në kohë. I mituri u transportua me urgjencë në spitalin “Infermi” në Rimini, ku qëndroi për disa ditë në kujdes intensiv, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Dyshimet paraprake lidhen me mundësinë e një defekti teknik ose mungesë të sistemeve të sigurisë në xhakuzi.
Objekti është sekuestruar, ndërsa ekspertët po analizojnë pajisjet për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të standardeve të sigurisë apo neglizhencë nga ana e strukturës hoteliere.
