Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në Kolumbinë qendrore, ku një avion privat është rrëzuar duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave që ndodheshin në bord. Mes viktimave është edhe këngëtari i njohur kolumbian Jason Jimenez, 34 vjeç, shumë popullor në Kolumbi dhe në vende të tjera të Amerikës Latine.
Sipas autoriteteve kolumbiane të aviacionit civil, nuk ka asnjë të mbijetuar nga ngjarja tragjike. Avioni u rrëzua pranë aeroportit të Paipës, ndërsa ishte në fluturim drejt Medellinit.
Përfaqësues të aviacionit civil konfirmuan se ekipet e emergjencës konstatuan se të gjithë pasagjerët kishin humbur jetën në vendngjarje. Zona u izolua menjëherë për të lehtësuar ndërhyrjen e shërbimeve të shpëtimit dhe nisjen e hetimeve.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur avioni përplaset në një zonë fushore dhe përfshihet nga flakët. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe botën e muzikës në Kolumbi.
