Ish-oficeri i Gardës, Tori Agolli, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj kreut të Partia Demokratike, Sali Berisha, duke e cilësuar atë “njeriun më shkatërrues të kombit shqiptar”.
Në një intervistë televizive, Agolli deklaroi se drejtësia në Shqipëri po vepron në mënyrë të njëanshme dhe akuzoi SPAK se nuk po godet Berishën.
“Drejtësia nuk ka të majtë apo të djathtë. Po godet vetëm në një kah dhe nuk po godet njeriun më shkatërrues të kombit shqiptar, Sali Ramë Berishën”, u shpreh ai.
Agolli tha gjithashtu se gjatë viteve ka qenë objekt sulmesh për shkak të përplasjes me Berishën.
“Falangat e zeza të Sali Berishës më kanë bërë dy herë atentat me tritol”, deklaroi ish-shoqëruesi i Fatos Nano.
Ai i bëri thirrje liderit demokrat të largohet nga politika dhe të hapë rrugë për brezin e ri brenda PD-së.
“O Berishë, lëre partinë të ecë përpara. Ka plot të rinj dhe njerëz të shkolluar në PD”, tha Agolli.
Në rrëfimin e tij, ai kujtoi edhe raportin mes Fatos Nanos dhe Berishës pas daljes së ish-kryeministrit socialist nga burgu, duke treguar një episod me babanë e Nanos, Thanas Nano.
Sipas Agollit, Nano kishte zgjedhur të mos ndiqte të njëjtën rrugë politike si Berisha, pavarësisht konfliktit të ashpër mes tyre.
“Fatos Nano ishte tolerant, ndërsa Berisha i ka shkatërruar jetën dhe karrierën”, deklaroi ai.
Në fund, Agolli shtoi se Berisha nuk ka ndryshuar në mënyrën e tij të të bërit politikë që prej viteve ’90.
“Ka ndryshuar vetëm një gjë: sot nuk të eliminon më dot si dikur, sepse i ka rënë mosha dhe takati”, përfundoi ai.
