Tonin Marinaj: Pushteti që dhunon pronën private dhe përdor bashkinë si mjet hakmarrjeje

Data

Në Malësinë e Madhe, pushteti lokal nuk po ushtrohet si shërbim ndaj qytetarëve, por si mjet hakmarrjeje personale dhe arrogancë ndaj ligjit. Kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj, është bërë simbol i këtij degradimi institucional, ku arroganca, abuzimi me kompetencat dhe shkelja e të drejtës së pronës janë bërë përditshmëri.

Rasti i fundit është ai i denoncuar publikisht nga ish-kryetari i Komunës Kelmend, z. Rush Dragu. Ai akuzon Marinajn për një akt të pastër vandalizmi dhe uzurpimi, duke shkatërruar me mjete të bashkisë tokën e tij private të mbjellë me patate. Akti ka ndodhur në mes të natës, me përdorimin e fadromave publike, pa asnjë vendim ligjor, pa urdhër gjykate dhe në shkelje të hapur të ligjeve mbi pronësinë dhe administrimin e territorit.

“Është tokë që më takon me ligjin 7501. E kam mbjellë me duart e mia. Para tre ditësh, në mesnatë, Tonin Marinaj dërgoi fadromat dhe më shkatërroi gjithçka. Vetëm sepse dikur nuk i dhashë tendera. Sot hakmerret përmes pushtetit,” – deklaron z. Dragu.

Ky nuk është rasti i parë ku emri i Tonin Marinajt përmendet në kontekste të tilla. Abuzimet me lejet e ndërtimit, ndërtimet pa leje të lejuara në mënyrë selektive, konfliktet me pronarë tokash dhe mosrespektimi i ligjit për menaxhimin e territorit janë kthyer në tipare të qeverisjes së tij.

Në emër të kujt vepron Tonin Marinaj? Në emër të komunitetit apo për llogari të një grupi klientelist që e përdor bashkinë si pronë private? Pse Prokuroria hesht përballë akteve të tilla flagrante? Pse Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Kadastrës nuk reagojnë?

Sot është Rush Dragu. Nesër mund të jetë çdo qytetar i Malësisë së Madhe që refuzon të përkulet përpara këtij pushteti arrogant.

Tonin Marinaj ka kaluar vijën e kuqe – jo thjesht si administrator i dështuar, por si një zyrtar që përdor institucionin publik për të ndëshkuar kundërshtarët personalë dhe për të shkelur themelet e shtetit të së drejtës.

EuroAlbania i bën thirrje autoriteteve qendrore të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë këtë rast. Ligji duhet të jetë më i fortë se fadromat e një kryetari bashkie që kujton se mund të bëjë gjithçka pa u ndëshkuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related