Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se punimet për Korridorin VIII po vijojnë sipas planit dhe pa ndërprerje, ndërsa shoqëronte kryeministrin Edi Rama gjatë një inspektimi në aksin provizor Librazhd–Prrenjas.
Duke iu drejtuar banorëve të zonës, Karakaçi pranoi se situata e krijuar nga problematika në rrugë ka shkaktuar shqetësime për disa ditë, por siguroi se janë marrë të gjitha masat për rikthimin e normalitetit.
Sipas tij, projekti i Korridorit VIII përfshin 33 kilometra të kontraktuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), të ndara në disa faza ndërtimi.
“Korridori VIII që njohim sot është 33 kilometra i kontraktuar nga ARRSH. Ka tetë faza dhe nuk ka pasur asnjë ndalesë në punimet normale”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se në disa segmente të rrugës është përfunduar shtrimi i shtresave asfaltike në njërën korsi dhe se punimet do të vazhdojnë edhe në anën tjetër të aksit.
Karakaçi theksoi se e vetmja ndërprerje e përkohshme e punimeve ka ndodhur në segmentin Librazhd–Prrenjas, ku po ndërtohet një rrugë sekondare rreth 1.3 kilometra për të garantuar qarkullimin gjatë ndërhyrjeve.
Sipas ministrit, Korridori VIII është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.
Ai shtoi se segmentet e tjera të projektit po ecin sipas afateve kontraktore dhe se punimet do të vijojnë në të gjitha fazat e planifikuara.
