Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka kërkuar GJKKO-së konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të procedimit pasuror nr.6 të vitit 2022.
Më konkretisht bëhet fjalë për pasuritë e Florenc Çapja, një prej personazheve më të njohur të krimit të organizuar në Elbasan dhe personave të lidhur me të si Fejzulla dhe Xhemile Çapja (prindërit e tij), si dhe Ferit dhe Bledar Muça, ky i fundit i vrarë në Belgjikë nga banda e Suel Çelës, ngjarje e zbardhur pak kohë më parë nga SPAK.
SPAK thotë se në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i aktivitetit kriminal të subjektit Florenc Çapia.
Florenc Çapja alias Çopja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri, ngjarja kjo e ndodhur më 15 gusht 2012 në qytetin e Elbasanit. Si porositës i kësaj vrasje të dyfishtë ndodhet në qeli dhe vuan dënimin me burgim të përjetshëm xhaxhai i tij, Ardian Çapja alias Çopja.
Ndërkohë, pasuritë Florenc Çapjas janë sekuestruar dhe kërkohet konfiskimi në kuadër të hetimit, ku ai akuzohet si porositës i vrasjes së Sokol Xanxhaktarit, e mbetur në tentativë, ngjarje e zbardhur nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
