Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Irani nuk do të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara mbi programin e tij bërthamor. Kjo është përgjigja e parë zyrtare nga Teherani pas letrës së dërguar nga Donald Trump për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, raporton CNN.
Sipas Pezeshkian, përgjigja iraniane është përcjellë përmes Sulltanatit të Omanit, duke lënë të hapur mundësinë e bisedimeve indirekte. Megjithatë, ai theksoi se që nga viti 2018, kur Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore, nuk ka pasur asnjë rezultat të prekshëm.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar me sulme në det dhe në tokë, ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Hamasit ka përfshirë indirekt edhe Iranin. Sulmet ajrore të SHBA-së kundër rebelëve shiitë Houthi në Jemen kanë shtuar frikën për një përshkallëzim ushtarak të situatës.
