Policia e Tiranës ka hartuar dhe ka nisur zbatimin e një plani të posaçëm masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festimeve të ndërrimit të viteve. Plani është ndërmarrë në zbatim të udhëzimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, masat përfshijnë shtimin e ndjeshëm të prezencës së efektivëve të Policisë me uniformë dhe të Policisë Kriminale në zonat urbane, veçanërisht në ato me fluks të lartë qytetarësh, për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të garantuar sigurinë publike.
Gjithashtu, janë vendosur pika fikse kontrolli në hyrje-daljet e Tiranës, si dhe janë intensifikuar patrullimet e lëvizshme, me fokus parandalimin e veprimtarive të paligjshme. Policia ka shtuar edhe monitorimin e qarkullimit rrugor në akset kryesore urbane dhe interurbane, përmes kontrolleve të shtuara dhe përdorimit të mjeteve inteligjente, me synim uljen e aksidenteve.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kontrollit të subjekteve dhe individëve që tregtojnë ose posedojnë lëndë piroteknike, për të shmangur rreziqet dhe ngjarjet aksidentale gjatë festimeve.
Prania policore do të rritet edhe në sheshe publike, shëtitore, zona pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi, bare, restorante, lokale nate dhe qendra tregtare, për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve festive.
Policia njofton se shërbimet do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo situatë nevoje dhe u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo paligjshmëri pranë patrullave policore ose përmes numrave të emergjencës 129 dhe 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thekson se është maksimalisht e angazhuar për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët gjatë gjithë ditëve të festimeve të fundvitit.
