Emigracion rekord/ Shqipëria del e para në Europë për numrin e qytetarëve që jetojnë në BE, në raport me popullsinë

Data

Shqipëria, ndonëse një nga vendet më të vogla të Europës, rezulton me një nga nivelet më të larta të emigracionit drejt Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët janë ndër komunitetet më të mëdha të shtetasve nga vende joanëtare të BE-së që jetojnë dhe punojnë në territorin europian.

Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat për vitin 2024, shtetasit shqiptarë renditen në vendin e 11-të për nga numri absolut i rezidentëve jo BE në Bashkimin Europian, me rreth 550 mijë persona të regjistruar. Shumica e tyre jetojnë në Itali, ndërsa në këto shifra nuk përfshihet Greqia, ku vlerësohet se banojnë të paktën edhe 500 mijë shqiptarë të tjerë.

Nëse përfshihen edhe të dhënat e Greqisë, numri total i shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE-së i kalon 1 milionin, çka do ta rendiste Shqipërinë në vendin e katërt në Europë për nga numri absolut i emigrantëve, pas Ukrainës, Turqisë dhe Marokut.

Por treguesi më alarmant shfaqet kur shifrat krahasohen me popullsinë e mbetur në vend. Me rreth 2.36 milion banorë, Shqipëria ka rreth 230 emigrantë në BE për çdo 1,000 banorë, edhe pa përfshirë Greqinë. Ky raport është dukshëm më i lartë se ai i çdo vendi tjetër europian apo rajonal.

Nëse llogaritet edhe emigracioni drejt Greqisë, pesha rritet ndjeshëm në rreth 466 emigrantë për 1,000 banorë, që do të thotë se afërsisht një në dy shqiptarë jeton në një vend të Bashkimit Europian. Ky tregues e vendos Shqipërinë në krye të listës europiane për nga intensiteti i emigracionit në raport me popullsinë.

Edhe vendet e tjera të rajonit shfaqin nivele të larta emigrimi, por dukshëm më të ulëta se Shqipëria. Kosova regjistron rreth 218 emigrantë për 1,000 banorë, Bosnja dhe Hercegovina 125, Maqedonia e Veriut 107 dhe Serbia 68 për 1,000 banorë.

Në krahasim, vendet që kryesojnë listën për nga numri absolut i emigrantëve kanë një peshë shumë më të ulët në raport me popullsinë. Ukraina, me rreth 2.6 milion shtetas në BE dhe një popullsi rreth 39 milion, ka rreth 67 emigrantë për 1,000 banorë. Turqia, me 1.7 milion emigrantë dhe 85 milion banorë, ka vetëm rreth 20 për 1,000 banorë, ndërsa Maroku rreth 41 për 1,000 banorë.

Këto të dhëna nxjerrin në pah përmasat reale të emigracionit shqiptar, i cili, në raport me popullsinë, mbetet një nga më të lartët jo vetëm në Europë, por edhe në shkallë globale, duke reflektuar sfida të thella demografike, ekonomike dhe sociale për vendin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related