Është rënduar bilanci i ngjarjes tragjike në fshatin Majac të Podujevë, ku numri i viktimave ka shkuar në tre.
Sipas raportimeve, ka ndërruar jetë edhe e dyshuara Ardita Gashi, e cila ishte në gjendje të rëndë pas plagëve të marra. Më herët, viktima të kësaj ngjarjeje ishin Ilaz Brahimi dhe Miradije Gashi, kjo e fundit ndërroi jetë në spital.
Sipas të dhënave paraprake, 31-vjeçarja dyshohet se fillimisht ka vrarë 45-vjeçarin, më pas ka plagosur rëndë të afërmen e saj, të cilën e kishte marrë peng në banesë, dhe në fund ka qëlluar edhe veten.
Raportimet mediatike sugjerojnë se mes autores së dyshuar dhe viktimës mashkull mund të ketë pasur një lidhje, megjithatë motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Prokuroria e Kosovës ka bërë me dije se hetimet vijojnë, ndërsa në vendngjarje janë sekuestruar arma e zjarrit dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave.
