Thellohen përplasjet, Erion Veliaj mbledh Asamblenë e Zgjeruar të Qarkut Tiranë, fton vetëm besnikët e tij një ditë pasi Edi Rama e hodhi në “gojën” e SPAK

Data

Konflikti mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk është më legjendë urbane. Edhe pse nuk e kanë sulmuar njëri-tjetrin publikisht me emër dhe janë kujdesur të tregojnë se raportet e tyre janë të çelikta, Rama dhe Veliaj tashmë e kanë çuar në një tjetër stad “luftën” mes tyre. Një ditë pasi mbledhjes me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministrat, ku kryeministri Rama goditi fort (indirekt) zotin Veliaj, duke ja bërë të qartë se kryebashkiakët e përfshirë në afera korruptive e kriminale nuk do të jenë pjesë e PS dhe se cilido zyrtar duhet të japin llogari para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kryetari i Bashkisë së Tiranës është hedhur në betejë, ndërsa ka sfiduar hapur shefin e selisë rozë. Në cilësinë e drejtuesit politike të Partisë Socialiste të Qarkut të Tiranës, zoti Veliaj ka zhvilluar dje një takim me Asamblenë e Zgjeruar. Por edhe ndonëse mesazhi ka shkuar në emailet dhe celularët e gjithë anëtarëve, bie në sy fakti se në mbledhjen u thirrën vetëm besnikët e Veliajt vartësit e tij të lartë). Kjo do të thotë se Veliaj me këtë lëvizje ja ka bërë të qartë Ramës se ai është dikushi, pasi ka shumë fuqi brenda partisë. “Përshëndetje te nderuar Kryetar dhe Bashkëkryetar.  Në fazën finale të Rienergjizimit të Partisë si dhe në funksion të rëndësisë së zgjedhjeve për Delegatët e Kongresit, Drejtuesi Politik i Qarkut Tiranë Erion Veliaj , thërret mbledhjen e Asamblesë së Zgjeruar të Qarkut Tiranë. Ditën e Mërkurë, Datë 8 Maj 2024, Ora 18:30. Salla e Kishës Ortodokse. Ju sjell ne vëmendje që për arsye organizimi ky njoftim vlen vetëm për kryetaret dhe bashkëkryetarët. Faleminderit”, thuhet në mesazhin që kryebashkiaku Veliaj iu ka dërguar anëtarëve të Asamblesë së PS për Qarkun e Tiranës. Pra duket qartë se ka një përplasje mes Ramës dhe Veliajt, pasi ky i fundit mund ta thërriste mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës ditë tjetër dhe jo një ditë pasi Rama e hodhi kryebashkiakun e Tiranës në “gojën” e SPAK.

Mesazhet e koduara

Ndërkohë kujtojmë se dy ditë më parë kryeministri Edi Rama e ka bërë edhe një herë të qartë ditën e djeshme se ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët që i kanë ngrënë kumbulla pas shpine do përfundojnë në SPAK. Ai nënkuptoi gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar se do të ketë të tjera arrestime brenda Partisë Socialiste. Rama tha se kushdo që ka gabuar duke shfrytëzuar detyrën e tij për përfitime personale, duhet të cilësohet si “tradhtar i dyfishtë” dhe të luftojë vetë në SPAK për shkeljet që ka kryer. Rama foli në përgjithësi për kryebashkiakun e korruptuar që fut duart në arkat e shtetit dhe xhepat e popullit, ku sipas tij, ai meriton vetëm përbuzje dhe është tradhtar. Indirekt ky mesazh dukej se i përcillej Veliajt, i cili është kryebashkiaku më i përfolur aktualisht për korrupsion. “Ashtu sikur dikush që është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut duart në arkat e këtij shteti dhe xhepat e këtij populli, nuk është me ne. Nuk ka se si të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes. E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje politike që bën korrupsionin në funksionet publike është një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar si çdo hajdut me kostum që merr çfarë nuk është e tij, por edhe i PS-së si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet”, nënvizoi Rama.

Zanafilla  e konfliktit

Nga ana tjetër, nganjëherë duket sikur Rama e mbështet dhe pastaj sikur ua lëshon turmave të uritura kufomën e Veliajt. Në njërin rast ai organizon një deklaratë të përbashkët të rakorduar, ku pohon se bashkohet “me fjalë dhe presje” me versionin e Lalit, se edhe atë e kanë gënjyer vartësit, ndërsa në rastin tjetër nuk nguron të inkurajojë SPAK që “ti nxjerrë ujin e zi” korrupsionit në bashkinë e Tiranës, sikundër ka bërë muajin e fundit. Në një vizitë në qendër të kryeqytetit ai e shmang të parin e tij nga protokolli, ndërsa në një eveniment tjetër “e lejon” atë të bëhet pjesë e ceremonisë. Këto rrokullisje të denja për lojërat e akthit të maleve ruse, të sjellin ndërmend marrëdhënien në çift të dy prej udhëheqësve më të shquar të komunizmit shqiptar, të përshkruar mrekullisht në një nga kryeveprat e letërsisë politiko memoristike shqiptare. Në librin e tij, “Vjeshta e ankthit”, i biri i ish kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkimi, tregon ditët e fundit para vdekjes së babait të vet dhe ankthin me të cilin familja perceptonte sinjalet herë negative dhe herë pozitive që i lëshonte sekretari i parë. Një ditë Enveri e shtinte në dhè Mehmetin, duke i kujtuar se gabimet e tij nuk qenë të rastësishme dhe kur ky i fundit bindej se fati i tij qe përcaktuar, i jepte shpresë duke i rrahur krahët, pasi kontributet e tij për partinë qenë të pazëvendësueshme.

E ka shitur, apo e mbron Rama Erion Veliajn?

Sidoqoftë deri më tani, sa e sa shkrime apo emisione janë bërë, nisur nga këto indicie, duke pasur si temë të vetme: a do e lëshojë apo jo Rama Veliajn? Është pikërisht ky fakt që tregon së në ç’zyrë vendoset realisht për fatin e kryebashkiakut. Sa herë ngrihet kjo pyetje, në mënyrë gati, gati të pandërgjegjshme, qoftë mbështetësit e kësaj qeverisjeje, që janë në shumicë edhe përkrahës të zjarrtë të SPAK, qoftë ata që janë kritikë të tyre, gati instinktivisht pranojnë plotfuqishmërinë e Edi Ramës. Mjafton kjo, po, po, pikërisht qoftë edhe vetëm kjo, për të kuptuar se e ardhmja e Veliajt nuk do varet as nga dosjet e prokurorëve, as nga 130 milionët e zhdukura të inceneratorit, as nga 30 milionë tenderat e Qatos, Mollës e Tushës, por nga kalkulimet e një njeriu të vetëm. Para se të jetë një problem i drejtësisë, në një regjim si ky yni, dosja e Lalit është politike. Prandaj në këtë pranverë, ai dhe të gjithë ata që ka përreth, po qëmtojnë me ankth sinjalet kundërthënëse të një loje si ajo që Hoxha bëri dikur me Shehun.

Kush është Erion Veliaj?

Kryebashkiaku i Tiranës është një prej investimeve kryesore të Edi Ramës në Partinë Socialiste. I lindur si produkt i shoqërisë civile, Erion Veliaj dhe “Mjaft-i” i tij ndërmorën një fushatë të ashpër kundër ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Pasi Edi Rama mori drejtimin e Partisë, Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij iu afruan pushtetit të kryesocialistit. Me fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013, Rama e emëron Veliajn fillimisht Ministër të Mirëqenies Socialiste e, më tej, kandidat fitues të zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Tiranës. Nga ky moment, Erion Veliaj ndjeu aromën e pushtetit dhe nisi planin për të rrëzuar “atin politik”, njëlloj siç bëri vetë Edi Rama me Fatos Nanon. Kryebashkiaku i Tiranës, nëpërmjet lejeve të ndërtimit, përfshiu nën pushtetin e tij pjesën më të madhe të biznesit të fuqishëm, përfshirë edhe atë mediatik. Për shkak të këtij pushteti, Veliaj siguroi një lloj pavarësie nga linja zyrtare e Partisë, e përfaqësuar nga Edi Rama. Etja për pushtet e kryebashkiakut të Tiranës tashmë e ka vendosur përballë mentorit të tij, Rama. Ndaj, sherri me tone të larta i këtyre ditëve ndërmjet të dyve, pritet të sjellë zhvillime të reja brenda radhëve të socialistëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related