Kreu i PR Fatmir Mediu, i ftuar në një studio televizive, tha se Richard Grenell ka autoritetin politik dhe përvojën në marrëdhëniet me jashtë për rolin e ri në administratën Trump, si përfaqësues për misionet speciale në konfliktet në zonat e nxehta. Kreu i PR evidentoi që Presidenca Trump është atipike dhe e prirur drejt zgjidhjes së konflikteve. Mediu shtoi se dy gjëra janë urgjente: Rama duhet të heqë dorë nga paternalizmi ndaj Kosovës, dhe të lërë mënjanë vëllazërinë e pavlefshme me Vuçiçin.
“Grenell është një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Trump. Ka marrë tashmë një pozicion për çështje të interesit gjeopolitik të SHBA-ve, për konfliktet në zonat e nxehta. Mendoj që në atë çka zhvillohet në Europë zonat e nxehta janë në tre pika, në vendet balltike, pjesa tjetër është Gjeorgjia dhe Moldavia dhe padyshim Ballkani për të cilat Grenell ka një eksperiencë kur ka qenë i dërguari special kohë më parë. Është një figurë që ka brenda vetes së vet autoritetin politik, përvojën në marrëdhëniet me jashtë, dhe një lloj kontradikte të qëndrimeve në marrëdhënie me aktorë të ndryshëm me aktor në rajon, apo të planit personal. Presidenca Trump është tërësisht atipike. Trump është i prirur drejt zgjidhjeve dhe jo zgjatjeve të konflikteve.
Mendoj dhe e përsëris që dy gjëra urgjentisht duhet të ndodhin, Rama duhet të heqë dorë nga paternalizmi ndaj Kosovës, dhe duhet të lërë mënjanë këtë vëllazëri të çuditshme dhe të pavlefshme me Beogradin dhe Vuçiçin, që e ka përcaktuar vëllazërinë me Rusinë dhe Kinën. Politika duhet të koordinojë veprimet politike dhe ushtarake me NATO-n. Duhet që politika shqiptare të ndjekë me vëmendje intervistat e Vuçiçit, ku ai s’pajtohet me situatën në Kosovë, duke krijuar një narrativë që është cenuar sovraniteti i Serbisë me ndërhyrjet e NATO-s në vitet 90’.
Përveç Procesit të Berlinit duhet të shohim edhe Iniciativën e tre deteve. Ballkani i Hapur krijonte premisa më të mëdha për Rusinë dhe Kinën për të penetruar në Ballkan. Ballkani mund të jetë një potencial i mundshëm konflikti, qoftë edhe ushtarak. Në këtë pikëpamje duhet parë se çfarë bëjmë ne si Shqipëri dhe me vendet e tjera anëtare të NATO-s. Një nga çështjet që është shtruar me forcë gjatë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, është ndërtimi i strukturave operacionale dhe ndërveprimi me vendet e NATO-s. Eksperienca e vendeve balltike duhet të na mësojë se një bashkëpunim ushtarak në rajon me vendet e tjera anëtare të NATO-s, krijon një deterrencë shumë të forta ushtarake. Nëse do dimë të bashkëpunojmë në ngritjen e niveleve të përbashkëta operacionale, por edhe strukturave ushtarake të gatshme për të vepruar, do të na bënte të ishim shumë më të fortë”.
