Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) vijon të marrë në pyetje ish zyrtarë, ushtarakë dhe biznesmenë, lidhur me hetimet që kjo strukturë po kryen për pronat e ushtrisë. Ish-drejtori i drejtorisë së logjistikës në komandën e forcës së bashkuar, njëkohësisht ish-drejtues i agjencisë së inteligjencës së sigurisë dhe mbrojtjes dhe ish-komandat i Forcës Detare, Ylber Dogjani, është marrë në pyetje pak ditë më parë nga SPAK. Përveç Dogjanit, në pyetje është marrë edhe një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit. SPAK po heton disa prej pronave të ushtrisë të cilat kanë kaluar në pronësi private, ndër to baza detare e Limionit në Sarande dhe zona të tjera ku në pyetje është marrë edhe ish-ushtaraku i lartë Artur Meçollari, në cilësinë e kallëzuesit. Po ashtu edhe Bardhyl Kollçaku deputet i PS dhe njëherësh ish-Shef i Shtabit të përgjithshëm i Forcave të Armatosura. E kallëzuar është edhe ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka. Në muajin mars të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të sekuestruar në formë preventive Bazën Ndihmëse “Limion” në Sarandë.
Kallëzimi penal
Në mars dhe në prill të vitit 2021, Meçollari kallëzoi penalisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, mes tyre ministren Olta Xhaçka, ish-shefat e Shtabit të Përgjithshëm të FA Bardhyl Kollçakun e Bajram Begajn, së bashku me ish-komandantin e Forcës detare, Ilir Xhebexhinë dhe ish-komandantin e Policisë Ushtarake, Altin Kurtin, për veprën penale “shpërdorim detyre”, lidhur me dhënien me qira të bazës detare të Limionit në Sarandë dhe për ndërtimin e një objekti brenda pronës që ndodhet në planin e vendosjes dhe të përhapjes të Forcës Detare. Sipas kallëzimit të Meçollarit, ka patur një ndërhyrje në pronat e ushtrisë, aty ku janë të dislokuara Forcat e Armatosura dhe kjo është bërë në mënyrë të paligjshme, me qëllim përfitim nga personat që kanë kryer miratimin. Meçollari pretendon në kallëzimet e tij, që këto prona janë miratuar dhe janë dhënë pa një verdikt final, pa firmën e Presidentit të Republikës, pasi për prona të tilla duhet edhe një miratim nga presidenti.
Baza detare e Limionit, MFE dha me qira 265 mijë m2 për turizëm
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në lidhje me dhënien me qira të bazës detare në gjirin e Limionit Sarandë, rezulton se në vendimin numër 514 të Këshillit të Ministrave, parashikohet dhënia e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro /kontrata ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme rreth 265 mijë m2 . Brenda këtij territori ndodhet dhe një pronë me sipërfaqe rreth 39 mijë metra katror me numër 696, që bën pjesë në planin e vendosjes dhe të përhapjes, për dhënien me qera të së cilës, duhet marrë më parë miratimi i Presidentit të Republikës. Në projekt-kontratën, përveç ushtrimit të veprimatrisë në fushën e turizmit për 20 vjet, parashikohet dhe ndërtimi nga shoqëria qiramarrëse, i një bankine për forcat detare në gjirin e Limionit në Sarandë.
