Ish-drejtori i Përgjithshwm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është paraqitur ditën e djeshme në SPAK, për t’u marrë në pyetje në lidhje me 21 janarin. Në kohën e ngjarjes ai u akuzua nga opozita e atëhershme dhe madje u verifikua pasi nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, që drejtohej nga Ina Rama. Pretendimi i atëhershëm ishte se në urdhër kishte gabime ortografike emrash dhe ishin shënuar me laps. “Dhashë sqarime si person qe ka dijeni. Kam zbatuar ligjin. I kam zbatuar urdhër-arrestet”, tha Burgaj për gazetarët, pak pasi doli nga SPAK.
Çfarë rrezikon Burgaj?
Ndalimi i arrestimeve në atë kohë u bë për të fituar kohë për të manipuluar provat e krimit dhe për të koordinuar dëshmitë e rreme. Burgaj rrezikon disa vite burg për pengimin e drejtësisë dhe e vetmja mënyrë që ai të shpëtojë është të kthehet në bashkëpunëtorë dhe marrin statusin e të penduarit, duke rrëfyer se kush i ka urdhëruar që të mos zbatojnë urdhrin e prokurorisë për të kryer arrestimet. Pra dëshmia e tij rrezikon të tronditë pozitat e Sali Berishës. Neni 253, i Kodit të Procedurës Penale parashikon që kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet. Në këtë rast, policia kryen ndalimin me iniciativën e vet kur nuk është e mundur, për shkak të gjendjes së ngutshme, të pritet urdhri i prokurorit. Duke shënuar një rast të paprecedentë në historinë e vendeve demokratike, Policia e Shtetit nuk njohu urdhër-arrestet e Prokurorisë për komandantët e Gardës, të cilët akuzoheshin për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “tejkalim të kompetencave”.
Çfarë tha Strasburgu?
Çështja e vonesë prej 18 ditësh e zbatimit të urdhrave të prokurorisë ka qenë një prej akteve më të rënda, për të cilën edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, teksa e citonte në vendim deklaratat e Berishës kundër zbatimit të këtij urdhri. Citimi Gjykata e Strasburgut: “Mosekzekutimi i urdhrave të ndalimit çoi në humbjen e tetëmbëdhjetë ditëve, ndërmjet datës kur u lëshuan urdhër-ndalimet dhe datës kur prokurorët mundën të merrnin në pyetje të dyshuarit kryesorë. Akoma më i rëndësishëm është fakti që përveç humbjes së kohës së çmuar, autoritetet humbën në mënyrë të pakthyeshme mundësinë për të marrë në pyetje të dyshuarit menjëherë pas ngjarjes, duke minimizuar kështu çdo mundësi për marrëveshje të fshehtë ose shtrembërim të së vërtetës.” Duke qenë të lirë, të akuzuarit për vrasjet dhe urdhëruesit e vrasësve, koordinuan veprimet dhe mendimet. Ata sajuan disa alibi për vrasjet, ndërsa manipuluan dhe zhdukën me shpejtësi provat e krimit.
