Një brez i ri nacionalistësh serbë po radikalizohet dhe po përgatitet për konflikte të mundshme në Ballkan, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, raporton The Telegraph. Sipas medias britanike, qindra militantë serbë – përfshirë edhe veteranë të luftërave të viteve ’90 – kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë përkrah forcave ruse.
Motivimi i tyre lidhet me bindjen se mbështetja ndaj Moskës do t’u kthehet në favor në Ballkan, përfshirë shpresën për ndihmë ruse në çështje si Kosova dhe territore të tjera të humbura. Këta militantë përdorin rrjetet sociale për rekrutim, duke ofruar pagesa të larta dhe duke glorifikuar luftën, çka shqetëson autoritetet evropiane për pasojat e mundshme të kthimit të tyre në rajon.
Një nga rastet e përmendura është ai i Dario Ristiç, i cili u kthye nga Ukraina, u arrestua për pjesëmarrje në një njësi të huaj paramilitare dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, por vazhdon të ketë ndikim të madh online. Po ashtu, përmendet veterani Davor Saviçiç, i njohur si “Ujku”, i cili ka ndikim të konsiderueshëm në rrjetet sociale dhe është fotografuar me Milorad Dodik, ish-presidentin e Republikës Srpska, përpara një takimi të këtij të fundit me Vladimir Putinin në Moskë.
Analistët theksojnë se, ndonëse numri i ekstremistëve është relativisht i vogël, ndikimi i tyre mund të jetë destabilizues. Ngrihen gjithashtu shqetësime për lidhje të ngushta me shërbimet ruse të inteligjencës, për trajnime dhe struktura mbështetëse në Republikën Srpska, si dhe për implikime më të gjera në sigurinë evropiane dhe britanike.
Ndërkohë, komunitetet boshnjake myslimane shprehin frikë nga ringjallja e traumave të së kaluarës, duke paralajmëruar se tensione të tilla mund të rihapin plagë të vjetra, pavarësisht përpjekjeve për pajtim dhe stabilitet në rajon.
