Revista prestigjioze britanike The Economist i ka kushtuar një analizë zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke u ndalur te protestat që prej më shumë se dy javësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas revistës, protestat nisën si reagim kundër planeve për zhvillime turistike luksoze në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e ditëve janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër klasës politike shqiptare.
Në analizë thuhet se kryeministri Edi Rama, i rizgjedhur së fundmi për një mandat të katërt, po përballet me një klimë të pazakontë pakënaqësie publike.
“The Economist” përshkruan protestat si një lëvizje të larmishme qytetare, ku marrin pjesë ambientalistë, aktivistë kundër korrupsionit, të rinj dhe grupe të ndryshme shoqërore që bashkohen rreth kërkesës për më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
Drejtuesi i organizatës mjedisore EcoAlbania, Olsi Nika, citohet të ketë deklaruar se çështja e Nartës ishte vetëm shkëndija që nxori në pah pakënaqësi të akumuluara prej vitesh.
Revista ndalet edhe te dimensioni brezor i protestave, duke i cilësuar ato si një shprehje të pakënaqësisë së brezit të ri ndaj figurave tradicionale të politikës shqiptare. Në analizë përmendet se si Rama ashtu edhe lideri i opozitës Sali Berisha kanë dominuar jetën politike shqiptare për dekada, duke krijuar perceptimin tek shumë të rinj se politika ka mbetur e pandryshuar.
Gazetari Gjergj Erebara citohet duke vlerësuar se Rama nuk përballet me sfida serioze brenda partisë së tij, ndërsa revista vëren se protestuesit përfaqësojnë grupime të ndryshme ideologjike, të bashkuara kryesisht nga kundërshtimi ndaj elitës politike aktuale.
Në përfundim, analiza ngre pikëpyetje mbi aftësinë e protestës për të prodhuar ndryshime konkrete politike. Sipas revistës, mungesa e një drejtimi të qartë dhe e objektivave të strukturuara mund ta bëjë të vështirë transformimin e energjisë qytetare në rezultate të prekshme politike, pavarësisht pjesëmarrjes së lartë dhe vëmendjes ndërkombëtare që ka marrë lëvizja.
