Rrëshqitje gurësh dhe inertesh janë regjistruar gjatë natës në rrugën nacionale Burrel–Skurraj, si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shiut.
Ngjarja është raportuar në afërsi të sektorit C, një segment i njohur për problematika të përsëritura sa herë ka reshje. Gurët dhe materialet e rëna nga shpati i malit kanë përfunduar në asfalt, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe duke vështirësuar qarkullimin, veçanërisht për automjetet që lëvizin nga Dibra dhe Maqedonia e Veriut drejt Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës.
Punonjësit e firmës mirëmbajtëse kanë ndërhyrë që në orët e para të mëngjesit për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.
Probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në zonën e Shkopetit, ku përveç rrëshqitjeve, shqetësim mbetet mungesa e mbrojtëseve anësore dhe sinjalistikës rrugore, duke shtuar rrezikun për aksidente.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment, sidomos në kushte reshjesh.
