GJKKO lë në burg Florjan Musajn, i vetmi i arrestuar në operacionin kundër grupit të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Florjan Musajn, i vetmi person i arrestuar deri më tani në kuadër të operacionit të fundit të SPAK kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.

Musaj u paraqit këtë të mërkurë para gjykatës, ku zgjodhi të mos japë deklarime lidhur me akuzat. Ai kërkoi që të përfaqësohej nga një avokat i caktuar kryesisht, duke argumentuar se nuk kishte pasur kohë të zgjidhte një mbrojtës ligjor. Gjykata i caktoi si avokat mbrojtës Arben Peçin.

Sipas SPAK, Musaj është një nga 10 personat për të cilët është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për një organizatë kriminale që dyshohet se ka operuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe ka investuar fitimet e paligjshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.

Nga personat e shpallur në kërkim, shumica dyshohet se ndodhen jashtë territorit shqiptar. Mes tyre janë emra si Dritan Gjika, Salvadore Aliu dhe Shpëtim Aliu. Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se vijojnë kërkimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në dosje.

Sipas hetimeve paraprake, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në vende të ndryshme të Amerikës Latine dhe Europës, përfshirë Brazilin, Belgjikën dhe Holandën. Prokuroria dyshon se anëtarët e grupit kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine drejt tregjeve europiane.

Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka vendosur gjithashtu sekuestro preventive mbi 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 150 milionë eurosh.

Hetimet vijojnë, ndërsa të gjithë personat e përfshirë në procedim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related