Media amerikane The Daily Beast i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit rreth projektit të resortit luksoz në Zvërnec, duke iu referuar dokumenteve të SPAK-ut të publikuara nga agjencia Reuters.
Sipas artikullit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton biznesmenin Artur Shehu, i cili ka shitur një pjesë të tokës ku parashikohet të ndërtohet resorti i mbështetur nga Jared Kushner. Hetimet lidhen me dyshime për pastrim parash, falsifikim dokumentesh pronësie dhe trafik ndërkombëtar droge.
Dokumentet e cituara nga Reuters flasin për “dyshime të arsyeshme” se një pjesë e pronave mund të jetë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, ndërsa prokurorët dyshojnë se të ardhurat nga aktiviteti kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme.
Artur Shehu i ka mohuar akuzat. Përmes avokatit të tij, ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me trafik droge apo falsifikim dokumentesh dhe i ka cilësuar pretendimet si të pabazuara.
Artikulli thekson se Jared Kushner, Ivanka Trump dhe investitorët e projektit nuk janë nën hetim dhe nuk akuzohen për ndonjë shkelje ligjore. Sipas Reuters, nuk ka prova që ata të kenë qenë në dijeni të dyshimeve që rëndonin mbi shitësin e tokës në momentin e transaksionit.
Nga ana e saj, kompania Sazan Real Estate Development, e lidhur me projektin, ka deklaruar se blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat përkatëse.
Projekti në Zvërnec ka hasur kundërshtime nga organizata mjedisore dhe banorë të zonës, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e lagunës Vjosë–Nartë dhe habitatet e mbrojtura. Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti do të vijojë.
Sipas The Daily Beast, hetimet e SPAK-ut janë ende në zhvillim dhe deri më tani autoritetet shqiptare nuk kanë bërë të ditur arrestime apo ngritje zyrtare akuzash në lidhje me këtë çështje.
