Të dhënat e monitorimit të mediave audiovizive të analizuara nga BIRN, tregojnë se gjatë gjysmës së parë të fushatës zgjedhore, televizionet e kanë fokusuar lenten te dy liderët kryesorë politikë, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Në më pak se dy javë, 3.7 milionë qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, do të kenë mundësinë që t’i drejtohen kutive të votimit ose kutive postare, për të zgjedhur deputetët që do t’i përfaqësojnë në legjislaturën e re të Kuvendit.
Në këto zgjedhje garojnë më shumë se 2 mijë kandidatë për deputetë nga 3 koalicione dhe 8 parti politike. Por ndërsa opsionet për të zgjedhur nuk mungojnë – me parti të konsoliduara dhe ato të reja në garë, informacioni për kandidatët dhe fushatën elektorale mbetet i kufizuar.
Të dhënat e pasqyrimit të fushatës zgjedhore në dy javët e para të saj, në 18 media audiovizive kryesore në vend, tregojnë për një mungesë të theksuar të pluralizmit në spektrin mediatik audioviziv, ku mbulimi i kandidatëve është përqendruar te dy liderët kryesorë të partive të mëdha politike – kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Sali Berisha.
Vetëm këta dy aktorë politikë morën më shumë se 81% të kohës televizive në edicionet informative, një tregues i mungesës së përfaqësimit të ofertave të ndryshme politike në tregun mediatik.
