Tetë anëtarë të së njëjtës familje janë gjetur të vdekur brenda një banese në shtetin amerikan të Miçiganit, sipas autoriteteve lokale. Mes viktimave janë dy të rritur dhe gjashtë fëmijë, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç.
Sipas autoriteteve, ngjarja u zbulua pasi shërbimet e emergjencës iu përgjigjën një njoftimi për zjarr në banesë. Gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve, ekipet e zjarrfikësve gjetën trupat e pajetë të tetë personave.
Kapiteni Jacob Sparks deklaroi se disa prej viktimave kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e viktimave.
Hetuesit kanë bërë të ditur se rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta dhe se hetimi është në fazat fillestare. Sipas policisë, aktualisht nuk ka persona të dyshuar që po kërkohen jashtë banesës.
Në hetim është përfshirë edhe njësia e Policisë së Shtetit të Miçiganit që merret me rastet e zjarreve. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të sqaruar lidhjen e tij me ngjarjen.
Autopsitë e viktimave pritet të kryhen gjatë fundjavës, ndërsa rezultatet e tyre pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
