Autoritetet venezueliane kanë njoftuar ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me gaz natyror në disa zona të vendit, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.
Ministri i Brendshëm, Drejtësisë dhe Paqes, Diosdado Cabello, deklaroi se masa është marrë për të shmangur rrezikun e shpërthimeve apo aksidenteve të tjera, pasi një numër ndërtesash kanë pësuar dëmtime serioze.
“Ka disa ndërtesa që janë dëmtuar dhe ne nuk duam aksidente me gazin natyror, prandaj kemi urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të furnizimit derisa të përfundojë vlerësimi”, u shpreh Cabello.
Pas tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 të shkallës Rihter, ministri u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të qëndrojnë në ambiente të hapura sa herë që është e mundur dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Ai u kërkoi gjithashtu banorëve të raportojnë menjëherë çdo situatë të rrezikshme ose dëmtim të konstatuar pranë shërbimeve të emergjencës, të cilat janë angazhuar në të gjithë territorin për të monitoruar situatën dhe për të ofruar ndihmë.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë inspektimet në zonat më të prekura për të vlerësuar dëmet në ndërtesa, rrjete infrastrukturore dhe instalime publike, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se furnizimi me gaz do të rikthehet vetëm pasi të garantohet siguria e plotë e rrjetit.
