Balla rrëzon kërkesën për kufizimin e mandateve: Kushtetuta nuk ndryshohet, distancohuni nga Irani dhe Rusia

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka refuzuar një prej kërkesave kryesore të protestuesve për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate, ndërsa ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me çdo forcë të re politike që mbështet integrimin europian dhe distancohet nga aktorë që, sipas tij, janë kundër interesave të Shqipërisë.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se Partia Socialiste do të bashkëpunojë me çdo subjekt politik që përfaqëson qytetarët në Parlament, por vendosi si kusht mbështetjen për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“E ndërlidhur me protestuesit, kur çdo protestues apo qytetar të përfaqësohet përmes një formacioni politik dhe ai të ketë vende në Parlament, ne do të bashkëpunojmë me ta, me kusht që të mbështesin procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe të jenë të distancuar nga Irani, Rusia dhe aktorë të tjerë jo miqësorë me Shqipërinë”, u shpreh Balla.

Sa i përket kërkesës për kufizimin e mandatit të kryeministrit, ai tha se modeli kushtetues shqiptar nuk parashikon një kufizim të tillë dhe se nuk ekziston arsye për ndryshime në këtë drejtim.

“Ne kemi marrë modelin e një republike parlamentare moderne, të ngjashme me modelin gjerman. As në Gjermani dhe as në republikat parlamentare që njoh unë nuk ka kufizim mandatesh. Në këto sisteme kufizimin e bën vota e popullit. Kushtetutën e kemi të re dhe nuk jemi në kushtet për të ndryshuar formën e organizimit të shtetit shqiptar”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.

Deklaratat e Ballës vijnë në një kohë kur protestuesit vijojnë të kërkojnë, mes të tjerash, dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese, ku përfshihet edhe kufizimi i mandateve të kreut të qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related