Japonia është goditur sot nga një tërmet tepër i fuqishëm me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter, duke shkaktuar panik të madh dhe duke detyruar autoritetet të lëshojnë menjëherë alarm për cunami.
Lëkundjet e forta u regjistruan në prefekturën Aomori, në veriun e Japonisë kontinentale, rreth orës 23:00 sipas orës lokale (15:00 me orën europiane). Fillimisht magnituda u raportua si 6.7, më pas 7.2, ndërsa analizat gjeofizike konfirmuan fuqinë përfundimtare prej 7.6 ballë, me epiqendër në thellësi ujore.
Alarm për cunami – dallgë deri në 3 metra
Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) ka paralajmëruar se cunami deri në tre metra lartësi mund të godasë zonat bregdetare të:
- Aomori
- Hokkaido
- Iwate
Banorëve u është bërë thirrje të largohen menjëherë nga zonat e rrezikut dhe të drejtohen në terrene më të larta.
Paniku te popullata
Lëkundjet e forta shkaktuan panik të madh në disa qytete veriore, ndërsa autoritetet lokale u kërkuan njerëzve të mbajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës. Për momentin nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, por ekipet e shpëtimit janë në terren për vlerësime.
Detaje sizmologjike
Sipas Institutit Euro-Mesdhetar:
- Epiqendra ndodhej 81 km në veri-verilindje të Hachinohe
- 121 km në lindje-verilindje të Aomorit
- Thellësia fokale: 44 km
Për shkak të vendndodhjes dhe intensitetit, autoritetet e sigurive të Japonisë kanë paralajmëruar se rreziku i cunamit mbetet i lartë në orët në vijim.
