Nëna e Leos, 2-vjeçarit me origjinë shqiptare që humbi jetën tragjikisht pasi u sulmua nga një pit bull i familjes në ishullin Zakynthos të Greqisë, ka rrëfyer momentet e tmerrit, duke theksuar se gjithçka ndodhi brenda pak sekondave dhe ishte pasojë e frikës së kafshës nga të shtënat e gjuetarëve.
“Leo ishte ëndrra e çdo nëne. Djali më i ëmbël që mund të imagjinoni”, – tha 32-vjeçarja Robbie për Daily Mail, mes dhimbjes dhe tronditjes. Ajo, e rritur në Andover të Anglisë dhe e martuar me një shqiptar, përshkruan një fëmijë plot gëzim, që qeshte vazhdimisht dhe adhuronte kafshët.
“Ai e donte qenin. Nuk kishte treguar kurrë agresion”
Sipas saj, pit bulli nuk kishte shfaqur kurrë sjellje problematike që nga dita kur e kishin shpëtuar dhe adoptuar.
“Leo e guduliste, e përkëdhelte, ai i lëpinte fytyrën. Luante gjithë ditën me të. Nuk na shkoi kurrë mendja se mund të ndodhte diçka e keqe”, – rrëfen nëna.
Por të shtunën, gjithçka ndryshoi brenda 30 sekondash.
Sulmi fatal
“Qeni ishte i lidhur me një zinxhir rreth 10-metra në oborr, pranë një zone pyjore ku po gjuanin. Dëgjoheshin të shtëna, fishkëllima dhe zhurma të qenve të tjerë. Mendoj se kjo e frikësoi dhe e çrregulloi”, – shpjegon ajo.
Në momentin tragjik, prindërit ishin futur për pak çaste në shtëpi për të rregulluar ushqimet.
“Brenda 30 sekondash Leo kishte dalë për të parë qenin. Kur doli, gjithçka kishte mbaruar. Duket se ai e kafshoi vetëm një herë… një kafshim i vetëm që mjaftoi.”
“E morën nga duart e mia… por ai nuk do të shpëtonte dot”
Prindërit e tmerruar njoftuan menjëherë emergjencat dhe u nisën drejt spitalit, duke u takuar me ambulancën në rrugë.
“Ia dorëzova në krahë mjekëve. U munduan, por edhe po të kishin mbërritur më herët, Leo nuk do t’ia dilte”, – thotë me lot në sy nëna.
Ajo ende nuk ka mundur ta shohë djalin e saj, dy ditë pas ngjarjes:
“Shpresoj ta shoh sot… është e vetmja gjë që dua.”
Leo kishte festuar ditëlindjen e tij të dytë vetëm pak ditë më parë.
“Nëse do të dyshonim për rrezik, kurrë nuk do ta lejonim të luante me qenin”
Prindërit mohojnë se mund të përballen me akuza, duke theksuar se qeni ishte i ushqyer, i lidhur dhe asnjëherë agresiv.
“E gjetëm si skelet kur e shpëtuam. U kujdesëm për të dhe u bë një qen i urtë. Nuk e imagjinonim dot këtë fund. Na shkatërroi jetën.”
Momentet e panikut
“Vajza ime hyri brenda dhe bërtiti: ‘Pit bulli e kafshoi.’ Vrapuam jashtë. Leo ishte në tokë, qeni nuk ishte mbi të. Ai nuk lëvizte… nuk mund ta besonim.”
Mbështetje psikologjike për vëllezërit e Leos
Familja ka dy fëmijë të tjerë në moshë shkolle. Pas tragjedisë, Ministria greke e Arsimit ka dërguar psikologë dhe punonjës socialë në të dy shkollat për t’i ndihmuar të përballojnë ngjarjen.
Në deklaratën zyrtare, Ministria shprehu “pikëllim të thellë” dhe garantoi se do të marrë çdo masë të nevojshme për të mbështetur fëmijët dhe familjen.
