Tërmet 5.3 Rihter pranë Janinës, lëkundjet ndihen edhe në Shqipëri, qytetarët dalin në rrugë

Data

Një tërmet me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e kësaj të diele zonën pranë Janinës në Greqi, duke u ndier edhe në disa zona të Shqipërisë.

Sipas mediave greke, pas lëkundjes kryesore janë regjistruar edhe disa pasgoditje, ku më e forta arriti 4.7 Rihter.

Tërmeti u ndje në shumë zona pranë kufirit greko-shqiptar, ndërsa lëkundjet janë raportuar edhe në ishujt e Jonit, si Korfuzi dhe Lefkada, si dhe në pjesë të Greqisë Perëndimore deri në Patra.

Si pasojë e tërmetit janë raportuar rrëshqitje shkëmbinjsh në autostradën Egnatia, në segmentin drejt Igumenicës, ndërsa në Janinë janë shënuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se shumë qytetarë kanë dalë nga banesat e tyre të frikësuar nga lëkundjet.

“Njerëzit kanë dalë jashtë dhe janë të frikësuar. Siç ndodh zakonisht me tërmete mbi 5 Rihter, pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike,” deklaroi për median greke ERT Efthimios Chrysostomou, zëvendëskryetar i Bashkisë së Janinës për Mbrojtjen Civile.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Epirit, Alexandros Kahrimanis, bëri të ditur se në autostradën Egnatia kanë rënë gurë, duke krijuar vështirësi në qarkullim.

Deri më tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe mundësinë e pasgoditjeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related