Një 64-vjeçar me origjinë shqiptare është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, pasi akuzohet për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara në zonën e Kypselit.
Sipas dëshmisë së nënës së vajzës, ajo është kthyer me nxitim në banesë pasi ka parë përmes kamerave të sigurisë se burri kishte hyrë në apartament. Në momentin që hyri, ajo pretendon se e gjeti 64-vjeçarin mbi vajzën e saj dhe e goditi me një tigan në kokë për ta larguar.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë burrin duke hyrë në shtëpi me çelësa dhe më pas përplasjen fizike me nënën, ku të dy përfundojnë në dysheme. Sipas saj, gjatë përpjekjes për të telefonuar policinë, ajo është goditur me grushte dhe shqelma.
Ekspertiza mjeko-ligjore, sipas deklarimeve të nënës, nuk ka konstatuar abuzim seksual. Pas incidentit, i dyshuari është larguar dhe vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të rrethanave.
