Tensione para Kryeministrisë, Policia kërkon lirimin e rrugës ndërsa protestuesit vijojnë qëndrimin në shesh

Data

Situata para godinës së Kryeministria e Shqipërisë është shoqëruar me tensione në orët e para të mëngjesit, pasi protestuesit që kaluan natën në bulevard vijuan qëndrimin e tyre edhe gjatë ditës së sotme.

Sipas raportimeve nga terreni, forcat e Policisë u rikthyen në zonë dhe përmes megafonëve u kërkuan qytetarëve të lironin rrugën dhe të zhbllokonin qarkullimin. Efektivët paralajmëruan se në rast të moszbatimit të kërkesës, do të ndërmerreshin veprime në përputhje me ligjin.

Nga ana tjetër, protestuesit reaguan me thirrje dhe slogane kundër qeverisë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në kor, qytetarët artikuluan mesazhe politike, ndërsa vijuan qëndrimin e tyre përpara godinës qeveritare.

Protesta, e cila nisi një ditë më parë dhe vijoi gjatë gjithë natës, ka mbledhur qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë të diasporës. Organizatorët e kanë cilësuar qëndrimin gjatë natës si një formë simbolike të rezistencës qytetare dhe shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisë.

Ndërkohë, është paralajmëruar zhvillimi i një tjetër tubimi gjatë ditës së sotme, ku pritet pjesëmarrja e qytetarëve që mbështesin kërkesat e protestës. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur masat e plota që do të ndërmerren për menaxhimin e situatës në zonën përreth institucioneve shtetërore.

Situata në qendër të Tiranës mbetet nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë tubimin dhe kërkesat e tyre politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related