Eksperti i IT-së dhe aktivisti qytetar Gent Progni mbajti një fjalim para Kryeministrisë, ku foli për atë që ai e cilësoi si përpjekje për të penguar protestën, si dhe për aktivitetin e profileve të rreme në rrjetet sociale.
Gjatë fjalës së tij, Progni deklaroi se reagimet e institucioneve tregojnë, sipas tij, shqetësimin e pushtetit për mobilizimin qytetar.
“E dini sa frikë na kanë pasur dje? Janë tmerruar. Na kanë shumë frikë, më besoni!”, u shpreh ai para protestuesve.
Më tej, Progni u ndal te komentet dhe reagimet negative në rrjetet sociale, duke pretenduar se një pjesë e tyre vijnë nga profile të rreme të krijuara për të nxitur përçarje dhe për të dëmtuar lëvizjen qytetare.
“Dua të flas pak për patronazhistët. Ju lutem kontrolloni çdo koment negativ për protestën dhe shikoni profilet, janë të gjitha profile fake. Të gjithëve duhet t’u bëjmë block që të mos bëjnë përçarje!”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Progni adresoi edhe një mesazh për personat që, sipas tij, janë të përfshirë në struktura monitorimi dhe propagande në rrjetet sociale, duke paralajmëruar publikimin e të dhënave që ai pretendon se disponon.
“Sot ju kemi zbuluar databazën e re dhe do t’iu nxjerrim me emër e do ju degjenerojmë të gjithëve!”, përfundoi Progni.
