Situata në Ngushtica e Hormuzit është tensionuar sërish, pasi Irani ka rivendosur kufizimet për kalimin e anijeve dhe është raportuar për të shtëna ndaj një anijeje cisternë që po lundronte në këtë korridor jetik ndërkombëtar.
Sipas Organizatës së Trafikut Detar të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), forcat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i janë afruar cisternës me dy mjete luftarake dhe kanë hapur zjarr rreth 20 milje detare larg brigjeve të Omanit. Kapiteni i anijes ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë paralajmërim paraprak në radio, ndërsa konfirmohet se ekuipazhi dhe mjeti janë të padëmtuar.
Ngjarja ndodhi menjëherë pasi Teherani njoftoi rikthimin e kontrollit të rreptë mbi ngushticën, duke e justifikuar këtë vendim me bllokadën e vazhdueshme detare nga Shtetet e Bashkuara ndaj anijeve iraniane. Sipas autoriteteve iraniane, disa mjete lundruese të nisura nga portet e tyre janë penguar të kalojnë, duke rritur përplasjen mes dy vendeve.
Në një reagim të mëhershëm, presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se bllokada do të vijojë deri në përfundimin e negociatave me Iranin, duke shtuar se SHBA nuk do të tërhiqet nga presioni ndaj Teheranit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga arteriet kryesore të tregtisë globale të naftës, dhe çdo incident në këtë zonë rrit rrezikun për destabilizim ekonomik dhe përshkallëzim të konfliktit në nivel ndërkombëtar.
