Topalli: Vota e diasporës do të sjellë rotacionin politik, dy arsyet pse shqiptarët jashtë vendit s’do të votojnë PS

Data

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tashmë edhe drejtuese politike e Partisë Demokratike për Diasporën, ka folur në lidhje me sfidat që paraqet ky proces i panjohur për politikën shqiptare dhe konkretisht për opozitën. E ftuar këtë fundjavë në një media, Topalli e quajti procesin një sfidë planetare, referuar faktit që gjysma e popullsisë jeton jashtë vendit, ndërsa bëri apel që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen në platformat e vënë në dispozicion nga KQZ.

Po ashtu, ish-kryeparlamentarja shtoi se ndikimi i diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit mund të jetë aq i fuqishëm, sa të sigurojë edhe përmbysjen e pushtetit dhe rrotacionin politik. “Në takimin që kisha në Gjermani kishim të pranishëm edhe shqiptarë nga Kosova. Ata janë para nesh, kanë aplikuar votën e diasporës në dy mandate tashmë, por kanë edhe një lidhje shumë të fortë me vendin e tyre dhe proceset politike që ndodhin. Kurti më shumë është kryeministër falë votës së diasporës. Sa i përket Shqipërisë, ne kemi një bllok elektoral të jashtëzakonshëm në të gjithë borës që nëse do të mobilizoheshin të regjistroheshin e më tej të votonin, do të bënin kthesa të jashtëzakonshme politike, si një fuqi e pashfrytëzuar gjatë 3 dekadave për të bërë edhe rrotacionin.

Vëmendja shumë e fortë tek diaspora. Megjithatë atje është një realitet tjetër dhe kanë një mentalitet tjetër. Por nëse vërtetë do të sensibilizohen, do të jenë një faktor kyç, sepse kondicionojnë forcat politike dhe qeveritë e ardhshme”, tha ajo. Më tej Topalli ka renditur edhe dy arsyet se përse diaspora nuk do të pritet të votojë Partinë Socialiste, edhe pse theksoi se asgjë nuk mund të parashikohet për sa kohë ky është një proces që nuk ka ndodhur më parë, e për pasojë mbetet enigmatik deri në fund. “Është një ekuacion me shumë të panjohura, Por ata që janë përzënë kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër nuk besoj se do të votojnë për pushtetin aktual. E dyta, është sepse ata janë shumë më të lirë dhe të pavarur se sa shqiptarët janë të kondicionuar në vendin e punës që të votojnë për pushtetin aktual”, nënvizoi Topalli.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related