SPAK nis “gjuetinë” ndaj “kokave” shqiptare të trafikut të kokainës në Amerikën Latine, Altin Dumani dhe tre…

Data

Kreu i SPAK, Altin Dumani, së bashku me katër prokurorë të tjerë, kanë udhëtuar drejt Brazilit për të ndjekur nga afër hetimet mbi trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë, përfshirë dhe Shqipërinë. Vizita ka për qëllim bashkëpunimin me autoritetet braziliane për çështjet e trafikimit të drogës, ku dyshohet për përfshirjen e grupeve kriminale shqiptare. Dumani është shoqëruar nga prokurorët Arben Kraja, Adnand Xholi, Elida Kaçkini dhe Vladimir Mara. Gjatë qëndrimit, grupi pritet të zhvillojë takime me drejtues të prokurorisë braziliane për të formuar ekipe të përbashkëta hetimore në rastet kur konstatohet implikimi i shtetasve shqiptarë në trafikun e kokainës.

Një nga rastet për të cilin është treguar interes është ai i 69 kg kokainë të sekuestruar më 18 maj 2021 në anijen “NSC Atros,” që do të nisej nga porti i Sao Paulo-s në Brazil me destinacion përfundimtar portin e Valencias në Spanjë. Hetimet, të cilat përfshijnë një letër-porosi të ekzekutuar më 25 shtator 2023 nga autoritetet braziliane për SPAK, kanë çuar në procedimin penal të disa shqiptarëve të dyshuar.

Harta e grupeve kri*inale shqiptare

Vetë Altin Dumani tregoi para disa muajsh se harta e grupeve kriminale shqiptare ka një shtrirje që kalon përtej oqeanit, ku aktiviteti i trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave po zgjerohet edhe më shumë duke nisur nga Amerika Latine, përmes vendeve të Bashkimit Europian përmes Belgjikës, Italisë e Spanjës, deri në vendet skandinave. Në raportin vjetor të publikuar nga SPAK, thuhet se grupet kriminale shqiptare janë pozicionuar mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut, duke arritur të konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase.

Jo vetëm kaq duket që kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv. E ndërsa Franca është shfrytëzuar si vend strehimi nga drejtues të organizatave kriminale të rëndësishme, të cilët i janë fshehur ndjekjes penale në Shqipëri, në Spanjë grupet kriminale po investojnë paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal. Kontakti i tyre i parë në trafikun e lëndëve narkotike, është Porti i Durrësit, i cili përdoret nga grupet kriminale, duke korruptuar deri dhe punonjës apo zyrtarë të ndryshëm.

Ja plani i SPAK

Kjo u vërtetua qartë dhe nga operacionet që ka bërë SPAK së fundmi, ku ka dalë qartë simbioza e krimit dhe politikës. Ajo bëhet edhe më e fortë kur ka zgjedhje. Altin Dumani po përgatit një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore. “Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor.

Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”, u shpreh Dumani pak kohë më parë. Kujtojmë se SPAK ka zhvilluar së fundmi disa mega-operacione që kanë tronditur personazhe të njohur të botës së krimit. Janë zbardhur vrasje që kanë qenë pa autor prej vitesh, por edhe kanë dalë emra të drejtësisë, policisë dhe politikës të lidhur me kriminelë. Bashkëpunimi i ngushtë i SPAK me autoritetet e huaja ka bërë që të paprekshmit të gjithë të fundosen dhe vizita e prokurorëve specialë në Brazil, mesa duket po përgatit terrenin për të çuar të tjerë personazhe të njohur të botës së krimit drejt prangave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related