Koreja e Veriut ka lëshuar të paktën dy raketa balistike në Detin Lindor (Deti i Japonisë), duke rritur tensionet në rajon. Sipas autoriteteve, ky ishte testi i parë i armëve për këtë vit.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut njoftoi se raketat u lëshuan nga periferia e Phenianit dhe përfunduan në det, pa raportime për dëme apo viktima.
Nga ana tjetër, Japonia reagoi ashpër, duke theksuar se zhvillimi i armëve bërthamore dhe raketave balistike nga Koreja e Veriut përbën një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Autoritetet në rajon janë në gjendje gatishmërie, ndërsa pritet edhe reagimi i aktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij zhvillimi të ri në Gadishullin Korean.
