Në ditën e parë të pushimeve zyrtare verore, në 1 Gusht 2024, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka lëvruar rreth 15 fatura për kompaninë “DAAM” shpk, për një vlerë totale prej 123 milionë lekë të reja ose rreth 1.3 milionë euro.
Shoqëria e studim-projektimi është në pronësi formale të Valter Begaj. Por, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka dyshime të forta se ajo fsheh interesat pasurore të Evis Berberit, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve dhe një prej njerëzve më të afërt të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Berberi u arrestua në mars të këtij viti, nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Së bashku me të u arrestua edhe Valter Begaj.
SPAK njoftoi në atë kohë se “Ervis Berberi, në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM” sh.p.k., të kontrolluar prej tij”.
