Pas 48 orësh reshje intensive shiu, territori i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës. Gjatë orëve të para të mëngjesit, qyteti u zgjua i zbardhur, ndërsa temperaturat zbritën nën 0°C. Bora ka krijuar shtresën e parë në qytet, pa shkaktuar probleme serioze në qarkullim.
Reshjet janë më të dendura në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e borës ka kaluar mbi 10 centimetra.
Ndërkohë, reshjet e mëparshme të shiut kanë sjellë vërshime ujërash dhe dalje të përrenjve e lumenjve nga shtrati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore dhe izolim të qindra banorëve.
Sipas të dhënave nga Bashkia Kukës, rrugë të bllokuara raportohen në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Malzi. Janë konstatuar gjithashtu dëmtime në disa ura, përfshirë urën e fshatit Orgjost dhe urën në lagjen Drazh të njësisë administrative Bushtricë. Në disa zona janë evidentuar rrëshqitje masive dherash dhe inertesh.
Situata më kritike paraqitet në fshatin Malqenë, njësia administrative Ujmisht, ku rrëshqitja e shpatit rrezikon një banesë. Po ashtu, pranë urës së Koloshit në Zapod, ka ndodhur shkarja e një masivi të madh shkëmbinjsh, ndërsa ekipet janë në terren për pastrim dhe normalizim të qarkullimit.
Në njësinë administrative Surroj, si pasojë e erërave të forta, është dëmtuar çatia e një banese.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se monitorimi vijon, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore dhe në akset rrugore të prekura.
