Qarku i Dibrës po përballet me kushte të vështira dimërore, si pasojë e temperaturave shumë të ulëta, akullit dhe reshjeve të dëborës. Gjatë orëve të natës, termometri ka zbritur deri në -10 gradë Celsius, duke shkaktuar ngrica të forta dhe vështirësi serioze për banorët.
Si pasojë e ngricave, janë evidentuar probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të thella. Ndërkohë, të bllokuara nga bora vijojnë të mbeten fshatra në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, si dhe në disa zona të Trebishtit dhe Ostrenit, ku trashësia e dëborës ka kaluar 40 centimetra.
Prezencë e madhe bore dhe akulli raportohet në rrugët rurale, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen. Bashkitë Dibër dhe Bulqizë janë në terren dhe po punojnë për hapjen e akseve të bllokuara. Megjithatë, ura e Çerenecit në aksin Çerenec–Librazhd mbetet e pakalueshme për qarkullim.
Sa i përket akseve kryesore:
- Peshkopi – Tiranë: qarkullimi kryhet pa zinxhirë
- Peshkopi – Kukës: qarkullimi lejohet vetëm me zinxhirë
Probleme të ngjashme raportohen edhe në zonën e Martaneshit, ku bora dhe ngricat vazhdojnë të pengojnë lëvizjen dhe aktivitetin normal të banorëve. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
