Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka deklaruar se PD-ja është në mbështetje të plotë të protestës qytetare, pasi kërkesat e saj përkojnë me qëndrimet që opozita ka artikuluar gjatë 13 viteve të fundit.
I ftuar në një emision televiziv, Teliti tha se protestat janë një formë normale e shprehjes demokratike dhe kritikoi mënyrën se si qeveria, sipas tij, i ka paraqitur ato si kërcënim për ekonominë dhe zhvillimin.
“Protestën opozita e mbështet plotësisht, sepse janë të njëjtat teza që ne kemi ngritur prej 13 vitesh”, u shpreh ai.
Teliti theksoi se tubimet qytetare janë të zakonshme në kryeqytetet europiane dhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, ato përballen me sulme politike dhe përpjekje për delegjitimim.
Ai kundërshtoi gjithashtu qëndrimet e një pjese të protestuesve që barazojnë opozitën me mazhorancën, duke e cilësuar këtë qasje si të dëmshme për vetë protestën.
“Është një minorancë që bën relativizimin se jemi njësoj. Jo, nuk jemi njësoj. Ky është dëmi më i madh që i bëhet protestës”, deklaroi Teliti.
Sipas tij, Partia Demokratike do të vijojë ta mbështesë protestën dhe kërkesat e qytetarëve për ndryshim politik dhe institucional.
