Mbi 10 mijë hotele të Evropës, i janë bashkuar një padie kolektive kundër platformës online të rezervimeve Booking.com, duke kërkuar dëmshpërblim për humbjet e pësuara gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas organizatës HOTREC, që përfaqëson sektorin e hoteleve, restoranteve dhe kafeneve në Bashkimin Evropian, pronarët e hoteleve kërkojnë kompensim për periudhën 2004-2024, për shkak të klauzolave të ashtuquajtura “çmimi më i mirë”, të cilat nuk u lejonin atyre të ofronin dhoma me çmime më të ulëta në faqet e tyre zyrtare apo në platforma të tjera. Nisma mbështetet nga 30 shoqata kombëtare hotelierësh, përfshirë edhe Shoqatën Gjermane të Hoteleve (IHA).
Booking.com, me seli në Holandë, i përdorte këto klauzola për të ndaluar të ashtuquajturat “rezervime pasagjere”, ku klientët informoheshin për hotelin përmes platformës, por më pas e rezervonin direkt në faqen zyrtare të hotelit.
