Ambasadorja Artemis Malo: Si po forcohen marrëdhëniet Shqipëri-Kanada përmes bashkëpunimit ekonomik, diplomacisë kulturore dhe mbështetjes ndaj komunitetit shqiptar, ja planet dhe projektet që do të aplikojmë për të sjellë ndryshime pozitive në vitet e ardhshme
Në një periudhë ku marrëdhëniet ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kanadasë po merr një dimension të ri dhe të rëndësishëm. Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo, një figurë kyçe në forcimin e këtyre lidhjeve, është angazhuar me pasion për të thelluar marrëdhëniet midis dy kombeve, duke u fokusuar në fusha të ndryshme si ekonomia, diplomacia kulturore dhe mbështetje ndaj komunitetit shqiptar që jeton në Kanada. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ambasadorja Malo zbulon planet dhe projektet që do të aplikohen në vitet e ardhshme, të cilat synojnë jo vetëm përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe sjelljen e ndryshimeve pozitive dhe përfitimeve afatgjata për të dy popujt. Përmes një vlerësimi të hollësishëm të sfidave dhe mundësive, diplomatja Malo tregon se si ky bashkëpunim ka potencialin të krijojë mundësi të reja dhe të hapë rrugë për një të ardhme më të ndritur.
-Ambasadore Malo, si e shihni aktualisht marrëdhënien me Kanadanë? Cilat janë sfidat që ende ekzistojnë?
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve datojnë qysh prej vitit 1967. Gëzojmë marrëdhënie shumë pozitive dhe me një angazhim të gjerë në fusha të bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik. Sfidat janë gjithmonë pjesë e punës për të çuar më tej interesin kombëtar dhe zgjerimin e marrëveshjeve në fusha të ndryshme në mënyrë sa më optimale.
-Cilat janë disa nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj Kanadasë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë? Si mund të përforcohet bashkëpunimi në fushat e arsimit, kulturës dhe ekonomisë?
Synimet e politikës së jashtme janë të qarta dhe të padiskutueshme, në kuadër të rritjes së imazhit të Shqipërisë, mbështetjes në fusha drejtimi që ka nevojë për eksperiencat më të zhvilluara dhe profesioniste, suportin ndaj komunitetit shqiptar, realizime mbi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja me interes reciprok, si edhe avancimi me politikat e duhura mbi diplomacinë parlamentare, publike, ekonomike e kulturore.
-Komuniteti shqiptar në Kanada është një nga më të vjetrit dhe më të konsoliduarit në mërgatën shqiptare. Si mund të mbështesim dhe forcojmë rolin e këtij komuniteti në shoqërinë kanadeze?
Komuniteti shqiptar në Kanada është një ndër komunitetet të integruara më së miri në shoqërinë pritëse. Ka një organizim dhe bashkëpunim të shkëlqyer ndër vite, me këmbëngulje krenare për të përcjellë trashëgiminë kombëtare dhe vlerat tona historike. Përfaqësia diplomatike është një mekanizëm në mbështetje maksimale të komunitetit dhe një organ për të ndjekur kërkesat dhe sugjerimet e komunitetit. Sigurisht shërbimet ndaj qytetarëve për të lehtësuar nevojat e tyre, janë detyra kryesore, por duhet garantuar se Shtëpia e shqiptarit është selia e ambasadës.
-Çfarë hapash mund të ndërmerren për të ruajtur dhe promovuar identitetin kulturor dhe gjuhën shqipe ndër shqiptarët e Kanadasë, përfshirë hapjen e shkollave shqipe dhe aktiviteteve kulturore?
Në të gjitha qytetet dhe rajonet e Kanadasë ka një organizim dhe angazhim serioz për zhvillimin e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe aktiviteteve kulturore. Qeveria Kanadeze ofron ambiente dhe pagesë për mësuesit e angazhuar, fakt ky që dëshmon respektin dhe gatishmërinë për të krijuar kushtet e duhura. Ajo që duhet ngritur si shqetësim real është gatishmëria nga ana e familjeve shqiptare. Institucioni kryesor për trashëgiminë kombëtare, është familja. Duke shtuar këtu faktin e rëndësishëm të pajisjes me materiale mësimore nga Shqipëria, të dy niveleve, për vite me radhë.
