Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka reaguar ashpër gjatë mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, ku po shqyrtohen ankimimet për përjashtimin e deputetëve të opozitës nga seancat plenare.
Hoti deklaroi se sot në Parlament mjafton të përmendet emri i kryeministrit Edi Rama apo i zv/kryeministres Belinda Balluku që fjala të ndërpritet dhe deputetët të përjashtohen nga seanca. Sipas saj, Kuvendi nuk funksionon më si institucion përfaqësues, por është shndërruar në një mburojë politike për persona dhe struktura të lidhura me pushtetin.
Ajo theksoi se parlamenti po mbron figura si Ergys Agasi, Belinda Balluku, Mirlinda Karçanaj dhe, sipas saj, të gjithë ata që “kanë marrë peng këtë vend”. Në këtë kontekst, Hoti e cilësoi përjashtimin e deputetëve të opozitës si një “medalje nderi”.
“Sot mjafton të përmendësh Ramën dhe Ballukun që të ndërpritet fjala dhe të përjashtohesh. Ky parlament është kthyer në mburojë të Ergysit, Belindës, Mirlindës dhe gjithë juve që keni kapur peng këtë vend. Përjashtimi ynë nga parlamenti nga një bandë hajdutësh është medalje për secilin prej nesh, sepse është medalje për këdo që nuk pranon të heshtë dhe të bëhet partner me korrupsionin dhe krimin”, u shpreh Hoti.
Në përfundim, ajo paralajmëroi se opozita do të vijojë denoncimet publike dhe se mazhoranca, sipas saj, duhet të mësohet me këtë realitet, pasi “përgjigjen do ta marrë”.
