Duket se kjo taksa e banesës së dytë është një masë popullore. Sikur me të preken vetëm manjatët e ndërtimeve, ata që kanë nga pesëdhjetë apartamente, apo disa shtëpi ku katet e nëdheshme janë disa herë më të mëdha sa katet që duken mbi tokë.
Por, kjo është një iluzion. Imagjinoni sa shtresa popullore kanë lënë shtëpitë e tyre në fshatrat dhe qytetet e lindjes dhe kanë ardhur në qytete më të mëdha ose në Tiranë. Tani ata do të duhet të përballojnë një taksë shtesë. Do të goditen në xhep edhe emigrantët që pasi kanë lënë shtëpitë e tyre në fshatra, kanë blerë -me lekë djerse nga një apartament në një qytet më të madh për ta pasur.
Cfarë do të bëjnë këta? Do t’i shesin a t’i prishin shtëpitë në zonat rurale? A nuk do të çojë kjo një në braktisje edhe më të madhe të këtyre zonave periferike dhe një boshatisje tjetër më të dhimbshme?
Dikush do të thotë, e po edhe në Evropë ka taksa plus për banesën e dytë. Patjetër. Puna është se kur duam t’i ngarkojmë barra të tjera qytetarëve shohim nga Evropa, por nuk shohim çfarë lehtësirash krijon ajo për evropianët! Mos harrojmë se në Evropë ka masa që taksa e shtëpive për ata që kanë të ardhura të pakta ose me statuse të veçanta nuk ekziston fare, ose reduktohet në madhëszi simbolike.
Mua më duket se është pak e pakuptueshme që kjo taksë u dashka që të shtohet buxheti i pushtetit lokal ku njerëzit kanë banesa të dyta, ta zemë në zona turistike!!!
Shumë mirë. Atëherë le të përgjysmohet taksa për banesën kryesore dhe pjesa e dytë e mbetur e asaj takse të përdoret për të paguar taksën e banesës së dytë. Në këtë mënyrë edhe dora nuk futet në xhepin e qytetarit, edhe një pjesë e flukseve financiare rishpërndahet duke shkuar për shembull edhe drejt zonave bregdetare.
Se normalisht qytetarët që kanë banesë të dytë në këtë zona, i sjellin tashmë fitime pushteteve lokale edhe pa këtë taksë. Se ata atje pinë, hanë, paguajnë për ujin, energjinë, etj. Më duan?
Aq më shumë që kjo taksë nuk ka përse të mbushë buxhete bashkish në faliment. Nuk trajtohet kështu çështja. Paratë e taksave janë për t’ju kthyer përsëri qytetarit, me rrugë të mira, trotuare, pemë, gjelbërim, etj. Pra, nuk është të paguhet taksa për të nxjerrë bashkinë nga falimenti që vjen nga shpenzime krejt të pamonitoruara nga qytetari, por që ato lekë të kthehen në formë shërbimesh dhe investimesh për qytetarin.
Ajo më e rëndësishmja, më djegësja, më cimbisësja, është se taksimi i popullsisë ka një “kundërtaksë” : Kush paguan taksë në një territor, duhet të ketë të gjitha të drejtat në atë territor. Pra të konsiderohet si qytetar me të drejta të plota atje. Duhet të ketë të drejtë të shfrytëzojë spitalin ambulancat, të çojë fëmijët në shkollë, të marrë rambursime sociale nëse plotëson kushtet, dhe mbi të gjitha, mbi të gjitha fare :
të ketë të drejtë” të votojë atje!
