Brnoviçi i përket brezit të parë të fëmijëve jugosllavë që ikën në Amerikë. Prindërit e tij janë serbë të emigruar nga ish-Jugosllavia, dhe vetë Brnoviç përmend shpesh origjinën e tij në fjalimet e tij dhe thotë se ai ka ndjekur shërbesat në Kishën e Shën Savës në Phoenix që nga fëmijëria e tij. Ai thotë se i përmbahet fjalës së urtë “vetëm bashkimi i shpëton serbët” dhe se beson se populli i tij, vetëm i bashkuar, mund të përballojë të gjitha sfidat. Brnoviç nuk është vetëm i rëndësishëm në këtë moment, ai është një serb që ka mbajtur detyrën më domethënëse dhe më jetëgjatë politike në Shtetet e Bashkuara për vite me radhë. Ai ka punuar si prokuror për një pjesë të mirë të karrierës së tij, si në nivel lokal, shtetëror dhe federal, dhe gjatë gjithë kohës ka ndjekur penalisht çështje të mëdha. Si republikan, ai u bë prokuror i përgjithshëm i Arizonës në vitin 2015, ku qëndroi deri në vitin 2023 pasi u rizgjodh në vitin 2019.
Lidhjet me Trump
Ai doli në qendër të vëmendjes globale në fillim të kësaj dekade, kur nisi një hetim mbi mashtrimin e dyshuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Në Arizona atë vit, Joe Biden fitoi me një diferencë prej 0.3 për qind të votave dhe Donald Trump pretendoi se ishte mashtrim zgjedhor. Brnoviç mbështeti tezat e Trump dhe hapi një hetim. Hetuesit e tij, siç raportuan në atë kohë media, përfshirë “New York Times”, nuk arritën të gjenin prova të mashtrimit të votuesve. Në raportin e tij të ndërmjetëm, ai deklaroi se ishin identifikuar “dobësi serioze”, por hoqi dorë nga gjetjet e hetuesve të tij që tregonin të kundërtën. Një raport më i plotë, i cili u mbajt në fshehtësi deri në largimin e tij nga detyra në janar 2023, tregoi se asnjë nga akuzat për mashtrim zgjedhor nuk u vërtetua. Në shkurt të vitit 2023, guvernatori Katie Hobbs i kërkoi Shoqatës së Avokatëve të Arizonës që të kryente një hetim etik ndaj Brnoviçit. Brnoviç, megjithatë, tha në një intervistë me Serb News USA vitin e kaluar se “megjithë presionin e Trump, ai vendosi të mos ngrejë një padi për vjedhje zgjedhore në Maricopa County, qarku më i madh në Arizona” Konflikti me Trump dhe mungesa e mbështetjes së tij, thotë kjo media, i kushtoi atij vendin e Senatit që kishte kontestuar dy vjet më parë.
Kandidati i preferuar
Nga ana tjetër, Rod Blagojeviç është një politikan amerikan me prejardhje serbe, i cili shërbeu si guvernator i Illinois-it nga viti 2003 deri në 2009. Ai u bë i njohur për skandalin e tij të korrupsionit, veçanërisht për përpjekjen për të “shitur” vendin e lirë në Senatin Amerikan pas zgjedhjes së Barack Obama-s si president në vitin 2008. Pas një procesi gjyqësor të gjatë, ai u dënua me 14 vite burg, por në vitin 2020, Presidenti Donald Trump i fali dënimin, duke e liruar para kohe. Pas lirimit, Blagojeviç u shndërrua në një mbështetës të zjarrtë të Trump-it dhe u bë një figurë e spikatur në qarqet konservatore. Ai madje bashkëkryesoi grupin “Serbët për Trump” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, duke e prezantuar veten si një urë lidhëse midis administratës Trump dhe komunitetit serbo-amerikan. Vizita e fundit e Blagojeviç në Beograd dhe takimi i tij me Presidentin Vuçiç kanë ngritur spekulime mbi të ardhmen e tij politike dhe diplomatike.
