Rama për Korridorin VIII: Projekt strategjik që u përfshi në rrjetin europian pas përpjekjeve diplomatike

Data

Kryeministri Edi Rama komentoi zhvillimet lidhur me projektin e Korridorit VIII gjatë një takimi me banorë të zonës pranë aksit Librazhd–Prrenjas, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij projekti për Shqipërinë dhe rajonin.

Sipas Ramës, për një kohë të gjatë ky korridor nuk ishte pranuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e rrjetit europian të transportit, pasi jo të gjitha vendet anëtare e mbështesnin përfshirjen e tij.

Ai shpjegoi se përfshirja e një projekti në rrjetin europian e bën atë të financueshëm nga fondet e Bashkimit Evropian dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar si strategjik, por nuk ka qenë i pranuar nga BE si korridor europian. Përfshirja në këtë rrjet i jep vlerën e një aseti të BE-së dhe e bën të financueshëm nga fondet europiane”, deklaroi Rama.

Sipas tij, përmes përpjekjeve diplomatike të qeverisë shqiptare, korridori u përfshi në rrjetin europian të transportit gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor të zhvilluar në Tiranë.

Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë që ky projekt ka për transportin e mallrave dhe zhvillimin ekonomik, duke përmendur lidhjen me portin e Durrësit dhe krijimin e një rruge më të shpejtë dhe me kosto më të ulët për lëvizjen e mallrave në rajon.

Rama shtoi se ndërtimi i këtij korridori duhet të vazhdojë edhe në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në mënyrë që të realizohet plotësisht projekti rajonal.

Sipas tij, Korridori VIII është një projekt me ndikim të madh ekonomik dhe social për Shqipërinë dhe rajonin dhe nuk duhet të pengohet nga debatet politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related