Ish-prokurori Eugen Beci ka komentuar mundësinë e lirimit nga burgu të ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe ish-presidentit Ilir Meta, duke theksuar se një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë nuk nënkupton automatikisht daljen e tyre nga qelia.
Gjatë një interviste televizive, Beci shpjegoi se vendimi i Gjykatës së Lartë mund të ketë ndikim vetëm nëse paraqitet një kërkesë e re për ndryshimin e masës së sigurisë.
Sipas tij, gjykatat duhet të kenë prova konkrete dhe argumentim më të fortë për të vendosur masën “arrest me burg”, sidomos në rastet kur pretendohet se i pandehuri mund të prishë provat e hetimit.
“Vendimi unifikues nuk do të thotë se ata dalin automatikisht nga burgu. Nëse paraqitet një kërkesë e re për ndryshimin e masës së sigurisë, atëherë gjykata do ta vlerësojë në frymën e këtij vendimi”, u shpreh Beci.
Ai shtoi se një tjetër element i rëndësishëm është arsyetimi i vendimeve gjyqësore, duke theksuar se hetimet dhe vendimet për masat e sigurisë nuk duhet të jenë të përgjithshme apo të bazuara në formulime standarde.
Beci përmendi gjithashtu edhe praktikat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se disa vendime kundër Shqipërisë kanë evidentuar probleme në mënyrën se si gjykatat shqiptare argumentojnë vendimet për masat e sigurisë.
